Gjumi i sigurt i bebit: 6 rregulla që çdo prind duhet t’i dijë

Gjumi i sigurt i bebit: 6 rregulla që çdo prind duhet t’i dijë

Bebet e porsalindura flenë shumë, ditën dhe natën. Mënyra si e vendosni bebin të flejë ka rëndësi të madhe për sigurinë e tij. Sindroma e vdekjes së papritur të foshnjës (SIDS) është e rrallë, por disa hapa të thjeshtë e ulin shumë rrezikun. Këtu i kemi përmbledhur këshillat kryesore të organizatave shëndetësore si NHS dhe The Lullaby Trust.

Ky artikull është vetëm për informim dhe nuk zëvendëson këshillat e pediatrit tuaj.

1. Gjithmonë në shpinë

Vendoseni bebin të flejë në shpinë që në ditën e parë, në çdo gjumë, ditën dhe natën. Gjumi anash ose me bark nuk është aq i sigurt sa gjumi në shpinë.

2. Në krevatin e vet, në dhomën tuaj

  • Vendi më i sigurt për gjumin e bebit në 6 muajt e parë është krevati i vet ose shporta e vet, në të njëjtën dhomë me ju, edhe për gjumin e ditës.
  • Kurrë mos flini me bebin në divan ose në kolltuk. Nëse ndiheni të përgjumur, vendoseni bebin në krevatin e tij më parë.

3. Dyshek i fortë dhe krevat i zbrazët

  • Përdorni një dyshek të fortë, të sheshtë dhe që i përshtatet mirë krevatit, me vetëm një çarçaf.
  • Mos vendosni jastëkë, jorganë të trashë, lodra, mbrojtëse anësore ose "fole" në krevatin ku fle beba.

4. Këmbët në fund të krevatit

Vendoseni bebin me këmbët te fundi i krevatit, që të mos rrëshqasë poshtë mbulesës. Nëse përdorni batanije, zgjidhni batanije të lehta, futini mirë nën dyshek dhe mos i vendosni më lart se shpatullat e bebit. Koka e bebit duhet të jetë gjithmonë e zbuluar.

5. As shumë ngrohtë, as shumë ftohtë

  • Temperatura e rekomanduar e dhomës për gjumin e bebit është 16–20°C.
  • Për të parë nëse beba ka shumë vapë, prekni qafën ose barkun: nëse janë të nxehta ose të djersitura, hiqni një shtresë. Duart dhe këmbët e ftohta janë normale.
  • Mos e vendosni bebin pranë kaloriferit, sobës ose në diell të drejtpërdrejtë, dhe mos përdorni shishe me ujë të nxehtë apo batanije elektrike.
  • Kapelën dhe rrobat e tepërta hiqini sapo të hyni brenda ose në një makinë të ngrohtë.

6. Pa duhan

Mos pini duhan gjatë shtatzënisë dhe mos lejoni askënd të pijë duhan në dhomën ose në shtëpinë ku është beba. Tymi i duhanit, para dhe pas lindjes, e rrit rrezikun e SIDS.

Nëse e mbështillni bebin me napë

Shumë prindër e mbështjellin bebin e porsalindur me napë. Nëse e bëni këtë:

  • Përdorni pëlhurë të hollë e të lehtë, si muslini, që beba të mos ketë shumë vapë.
  • Mos e mbështillni shumë shtrënguar te ijet: këmbët duhet të lëvizin lirshëm, për zhvillimin e shëndetshëm të ijeve.
  • Mos e mbështillni më lart se shpatullat dhe sigurohuni që pëlhura të mos i mbulojë fytyrën.
  • Vendoseni bebin e mbështjellë gjithmonë në shpinë, kurrë anash ose me bark.
  • Ndaleni mbështjelljen sapo beba të fillojë të kthehet vetë, sepse nuk do të mund të kthehet prapa me duart e mbështjella.
  • Mos e mbështillni bebin kur ka ethe ose infeksion.

Nëse flini në të njëjtin shtrat me bebin

Vendi më i sigurt mbetet krevati i bebit. Nëse megjithatë e merrni bebin në shtratin tuaj, përdorni dyshek të fortë, mbajeni bebin në shpinë dhe larg jastëkëve e jorganëve. Mos flini me bebin në shtrat nëse beba ka lindur me peshë të ulët (nën 2,5 kg), nëse ju ose partneri pini duhan, keni pirë alkool, keni marrë drogë ose ilaçe që ju bëjnë të përgjumur.

Shkurt

Në shpinë, në krevatin e vet, në dhomën tuaj, në krevat të zbrazët, as shumë ngrohtë e as shumë ftohtë, dhe pa duhan. Këto rregulla vlejnë për çdo gjumë, edhe për gjumin e shkurtër të ditës. Për çdo pyetje, flisni me pediatrin tuaj.

Burimet: NHS (Reducing the risk of SIDS); The Lullaby Trust (këshillat për gjumin e sigurt dhe për mbështjelljen); NCT; Tommy’s. Ky artikull nuk zëvendëson këshillën e mjekut.

Nga Baby Molla

Për ditët e para me bebin tuaj: